Me sukses u realizua trajnimi profesional për pjesëtarët e FSK – Kompania për Materie të Rrezikshme (KMRR), organizuar nga Instituti Bioinvest, institucion i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) për kualifikimin profesional të Nivelit 3 në fushën e trajtimit të azbestit dhe materialeve me përmbajtje azbesti (MPA).
Ky trajnim kontribuoi në zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së për menaxhimin e sigurt të rreziqeve nga azbesti, duke përfshirë identifikimin, trajtimin, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse personale (PPE), menaxhimin e mbetjeve dhe zbatimin e procedurave të sigurisë.
Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë certifikatat për pjesëmarrësit që përfunduan me sukses programin e trajnimit.
Me këtë rast, FSK – KMRR ndau Mirënjohje për Institutin Bioinvest si vlerësim për bashkëpunimin dhe kontributin në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së. Një falënderim i veçantë iu adresua Prof. Dr. Lulzim Zenelit, udhëheqësit të programit të trajnimit.
Ky bashkëpunim dëshmon rëndësinë e investimit në dije, aftësi profesionale dhe siguri të personelit në përballimin e rreziqeve nga materialet e rrezikshme.













